Aksioni kombëtar për forcimin e sigurisë ushqimore dhe formalizimin e tregut bujqësor po vijon me intensitet në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë nëntë ditëve të para të këtij operacioni janë zhvilluar 151 kontrolle dhe janë bllokuar 63 tonë produkte bujqësore e blegtorale që qarkullonin pa faturë.
Autoritetet tatimore u bëjnë thirrje fermerëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në zinxhirin ushqimor të zbatojnë detyrimet ligjore, duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të tregtimit.
Aksioni është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Financës dhe Ministrisë së Bujqësisë, me qëllim forcimin e kontrollit mbi sigurinë ushqimore dhe formalizimin e sektorit.
Qëllimi përfundimtar është sigurimi i gjurmueshmërisë së produkteve, llogaritja tatimore dhe identifikimi i prodhuesve përmes NIPT-it, duke rritur besimin e konsumatorëve dhe standardet në treg.


