Nga Afrim Krasniqi
Retrospektivë, 1992. Qeveria teknike e krijuar për të përgatitur zgjedhjet parlamentare vendosi që të pajisë me zyrë dhe apartament banimi falas për fondacionin OSFA/SOROS, i sapo ardhur në Shqipëri.
Bisedimet e para i bëri qeveria e stabilitetit (PP/PS, PD, PR, PSD, PA) dhe bashkëpunimi me fondacionin u zgjerua edhe nga qeveria e djathtë (1992) apo e majtë (1997). Nga ana tjetër, koncepti që shteti paguan për një aktivitet privat ishte reminishencë e sistemit prej nga vinim, gjithsesi fondacioni krijoi më pas pavarësi financiare dhe u bë gjithnjë e më aktiv.
Shoqëria shqiptare është ende një fabrikë e madhe e prodhimit periodik të miteve. Faji gjithnjë është te Tjetri. Teori spekulative si «Katovica» vijojnë të jenë sport popullor edhe pas më shumë se 35 vitesh.
Sa më shumë burime informimi, aq më shumë hapësirë spekulimi e dezinformimi. Faktet të dhëmbin, ndaj më lehtë krijohet dhe shijohet alibia, ndaj edhe teori e mite të njëjta vijojnë të jenë po ashtu sporte popullore, sidomos kur ka fushata elektorale. “Suksesi ka qindra baballarë, dështimi është jetim”, thuhet në shprehjen e njohur.
Nëse nuk do të kishte teori konspirative, por do të kishte një mjedis qytetar/publik kërkues dhe me integritet, do të kishte transparencë e llogaridhënie, dy koncepte ende të refuzuara nga udhëheqësit arrogantë, të dështuar apo edhe të korruptuar të djeshëm e të sotëm të tranzicionit.
Kështu nisi!



