Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po përballet me sfida në marrjen e masave për bllokimin e llogarive të debitorëve, gjë që ka nxjerrë në pah nevojën për një zgjidhje më efikase për t’i dhënë fund këtyre problemeve.
Volumi i madh i tatimpaguesve me detyrime tatimore të papaguara, të ndjekur nga Drejtoria e Detyrimeve Tatimore të Papaguara në DPT Rajoni Qendror, që përfshin rreth 130,000 tatimpagues debitorë, shkakton kosto të konsiderueshme, duke përfshirë shpenzime monetare (si letër, bojë, printer, dhe posta) dhe kosto të burimeve njerëzore.
Për të zgjidhur këtë situatë, është propozuar krijimi i një sistemi të digjitalizuar për komunikimin e administratës tatimore me bankat e nivelit të dytë në lidhje me mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara. Në dokumentin tenderues, argumentohet se ky sistem është i nevojshëm për shkak të rasteve të evidentuara ku masat shtrënguese për tatimpaguesit nuk janë protokolluar në bazë të kategorisë së masës. Po ashtu, janë vënë re skema ku për subjekte me detyrime të papaguara bëhen urdhër bllokime nga Administrata Tatimore, por këto nuk dërgohen fare pranë bankave, ose bëhen urdhër zhbllokime të falsifikuara që më pas dërgohen në bankat e nivelit të dytë pa protokolluar.
Gjithashtu, theksohet se Rajoni Qendror, për shkak të numrit të madh të tatimpaguesve me detyrime të papaguara, e ka të vështirë të respektojë afatet për marrjen e masave shtrënguese dhe dërgimin në kohë të urdhrave për bllokimin e llogarive bankare pranë bankave të nivelit të dytë.
Sistemi elektronik që planifikohet të krijohet synon të përshpejtojë mbledhjen e detyrimeve të papaguara, të ulë ndjeshëm kostot për marrjen e masave shtrënguese, të rrisë arkëtimet e detyrimeve të papaguara, të zvogëlojë stokun e detyrimeve të papaguara dhe të shmangë skemat e mashtrimit. Ky sistem pritet të përmirësojë dhe thjeshtojë komunikimin mes palëve në lidhje me mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara dhe të integrohet me sistemin tatimor e-Taxation përmes Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.


