Shtohet një tjetër vatër e gripit të shpendëve në Shqipëri. Rasti i ri është raportuar në fshatin Valare të Gjirokastrës.
Ky është regjistruar rasti i parë i gripit të shpendëve, pas një dekade pa praninë e këtij infeksioni në këtë qark.
Autoritetet kanë konfirmuar se rreth 20 pula oborri janë asgjësuar me qëllim për të parandaluar përhapjen e këtij infeksioni.
Drejtoria Rajonale e Bujqësisë deklaron se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, duke dezinfektuar të gjithë zonën përreth.
Specialistët i kanë bërë thirrje qytetarëve që të jetë vigjilent dhe duhet të njoftojnë menjëherë veterinerët në rast se vërejnë shenja të infeksionit të shpendëve.
Më 10 janar të 2025 Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural doli me një deklaratë zyrtare në lidhje me përhapjen e gripit të shpendëve në vendin tonë duka na pasqyruar një tablo më të saktë lidhur me atë që po ndodh në Shqipëri.
“Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e bërë ditë më parë nga ministria.


