Në kuadër të operacionit “Ura”, autoritetet italiane zbuluan një rrjet kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës që përfshinte qytetarë shqiptarë dhe italianë. Hetimi u udhëhoq nga Prokuroria e Antimafias në Bari në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un shqiptar. Sipas dosjes hetimore, emra të njohur si Erigels Presi, Agron Ganaj dhe Adi Coba ishin pjesë kyçe e këtij trafiku, i cili shfrytëzonte komunikimet e enkriptuara përmes aplikacionit SKY ECC për të organizuar dërgesat nga Shqipëria dhe Gjermania drejt Italisë.
Në mënyrë të koordinuar, Presi dhe Ganaj organizuan një dërgesë të kokainës nga Shqipëria drejt Italisë, e cila u transportua përmes një automjeti të drejtuar nga një shqiptar nga Vlora. Droga mbërriti në Mola di Bari dhe ishte planifikuar t’i dorëzohej Nuredin Kiptiut, por transporti u ndërpre pas një grabitjeje të dhunshme ku u dëmtua edhe vetë Presi.
Në një tjetër episod, bazuar në komunikimet ndërmjet Adi Cobës dhe Angelo Zanzarellit në SKY ECC, Kiptiu mori nga një vilë në San Giorgio (Bari) një sasi kokaine për ta çuar në Oria, ku iu dorëzua Zanzarellit në këmbim të një shume prej 59,500 eurosh.
Hetimet zbuluan edhe raste të tjera të trafikut të heroinës, ku Adi Coba jepte udhëzime nga Shqipëria, ndërsa Ganaj e mbante drogën në banesën e tij në Mola di Bari. Në një rast tjetër, Kiptiu mori 9.5 kg heroinë nga një korrier i paidentifikuar dhe e ruajti në vilën e tij në Bari.
Gjithashtu, dokumentet flasin për disa bashkëpunime të tjera të strukturuara mirë mes personazheve kryesorë të grupit, duke përfshirë dorëzime të shumta të heroinës dhe kokainës në qytete të ndryshme të Italisë, si Bari, Putignano, Oria dhe Triggiano. Një prej dërgesave më të mëdha përfshinte 70.5 kg heroinë, e ndarë në disa sasi të mbajtura dhe shpërndarë nga Presi, Ganaj dhe Kiptiu.
Një tjetër dërgesë me 8 kg kokainë u organizua nga Gjermania për në Itali me ndërmjetësimin e Elvis Docit (i njohur si “Visi i Pojës”), ku droga u dorëzua në punishten mekanike të Francesco Campanella-s dhe më pas u shpërnda nga Ganaj dhe të tjerë, gjithashtu përmes udhëzimeve të Coba-s në distancë.
Ky operacion vë në dukje organizimin ndërkombëtar të rrjetit dhe përdorimin e teknologjisë për të shmangur zbulimin, por edhe bashkëpunimin efektiv ndërkombëtar që çoi në zbulimin e një prej skemave më të mëdha të trafikut të drogës në Europën Jugore.


