Deputeti demokrat Dashnor Sula nuk ishte i pranishëm në seancën plenare të së enjtes, duke sqaruar më pas në një intervistë për Top Story se mungesa erdhi për shkak të një angazhimi familjar. Ai premtoi se do të jetë i pranishëm në seancat e ardhshme, ku synon të bëjë edhe një propozim simbolik, si shenjë proteste ndaj mënyrës sesi po funksionon Kuvendi.
Sipas Sulës, seanca e fundit ishte një përsëritje e zakonshme e asaj që ka ndodhur prej kohësh në Parlamentin shqiptar, ku mazhoranca ka gjithë pushtetin në dorë dhe opozita mbetet një viktimë pa ndikim real. “Një seancë që nuk kishte vlerë. Një akt force nga mazhoranca dhe një opozitë që vazhdon të jetë viktimë, siç ka qenë gjithmonë,” u shpreh ai.
Duke komentuar situatën politike, Sula ironizoi me një propozim që, sipas tij, përfaqëson realitetin institucional të vendit: “Në seancat e ardhshme do të jem i pranishëm dhe do të bëj një propozim – që më mirë Shqipëria të kthehet në një monarki kushtetuese, sepse ky parlament është pa vlerë. Jemi një republikë kryeministrore,” theksoi ai.


