Zvicra do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufirin me Francë përpara zhvillimit të samitit të G7.
Sipas mediave zvicerane, qeveria ka njoftuar se masat do të jenë në fuqi nga 10 deri më 19 qershor, për shkak të shqetësimeve për sigurinë në kuadër të samitit që do të mbahet në Evian.
Megjithëse takimi i liderëve zhvillohet në territorin francez, autoritetet paralajmërojnë se edhe zonat pranë kufirit në Zvicër mund të ndikohen. Qytete si Gjeneva dhe Lozana, si dhe i gjithë rajoni i Liqenit të Gjenevës, pritet të përballen me fluks të shtuar vizitorësh dhe protesta të mundshme.
Zyrtarët kujtojnë se samitet e mëparshme të G7 janë shoqëruar me incidente si trazira, ndërprerje dhe dëmtime të pronës. Ata theksojnë gjithashtu sfidat e shtuara të sigurisë për shkak të situatës aktuale gjeopolitike dhe përqendrimit të madh të organizatave ndërkombëtare në këtë rajon.
Kërkesa për vendosjen e kontrolleve kufitare është bërë nga kantoni i Gjenevës, ndërsa samiti i G7 është planifikuar të mbahet nga 15 deri më 17 qershor.


