Policia e Tepelenë ka dhënë detaje zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në fshatin Mamaj, ku dy persona mbetën të plagosur.
Sipas njoftimit, rreth orës 13:40 në spital janë paraqitur dy shtetas, Xh. S., rreth 28 vjeç, banues në Mamaj, dhe L. Sh., rreth 36 vjeç, banues në Memaliaj, të cilët janë shokë me njëri-tjetrin. Paraprakisht dyshohet se të dy janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse ende të papërcaktuar, në një ambient pranë banesës së babait të njërit prej tyre.
Të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse, si dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.


