Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur në qytetin e Vlorës ku një 48-vjeçar kanosi me kallashnikov gruan e tij.
Burimet bëjnë me dije se pak çaste më vonë, pasi kanosi gruan, shtetasi në fjalë ka qëlluar në ajër duke rrrezikuar dhe banorët përreth.
Shtetasi në fjalë është identifikuar si Bujar Ismaijli.
Për rrjedhojë të ngjarjes policia ka vënë në pranga Ismajilin në kohën e duhur përpara se të ndodhte ndonjë fatkeqësi.
Njoftimi i Policisë
Kanosi me armë zjarri kallashnikov bashkëshorten e tij dhe vuri në rrezik edhe banorët e fshatit duke qëlluar me armën në ajër, vihet në pranga 48-vjeçari.
Në momentit që 48-vjeçari vuri re shërbimet e Policisë tentoi të largohej me automjet, por u bllokua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe automjeti me të cilin tentoi të largohej, së bashku me një sasi lënde narkotike cannabis dhe fishekë luftarakë, të cilat u gjetën të fshehura në stanin e 48-vjeçarit.
Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, u finalizua operacioni policor “Strike 22”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij, shtetasi B. I., 48 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën ai kishte kërcënuar bashkëshorten e tij.
Në vijim të kontrollit në stanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi lënde narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



