Policia australiane po heton vdekjen e një shtetaseje kanadeze 19-vjeçare, e cila u gjet e pajetë në një plazh të ishullit Fraser, në bregdetin lindor të Australisë.
Sipas mediave lokale, e reja kishte rreth gjashtë javë që punonte në një hotel në ishull dhe kishte udhëtuar atje së bashku me një shoqe nga Kanadaja. Të hënën në mëngjes, ajo ishte nisur për të notuar në plazh, por nuk u kthye më.
Rreth një orë më vonë, dy burra që po kalonin me automjet vunë re trupin e saj të shtrirë në rërë, i rrethuar nga rreth 10 qen të egër. Ata njoftuan menjëherë autoritetet.
Policia konfirmoi se në trup janë konstatuar shenja kafshimi, por theksoi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe nëse sulmi nga qentë e egër ka qenë fatal. Hetimet dhe ekzaminimet mjeko-ligjore janë në vijim.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer shqetësimet mbi sigurinë në zonat e banuara nga qen të egër në ishujt turistikë të Australisë.


