Shkodrani 36-vjeçar Elis Rroshkodol, i vrarë sot (30 Gusht) në Shkodër, pas një atentati me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar, njihej edhe me emrin Elis Shkoza.
Mbiemrin ai e kishte ndërruar pas arrestimit për grabitjet në Belgjikë.
Ai ishte në kërkim edhe për plagosjen me thikë në Bukuresht të Rumanisë, më 20 prill 2023, të biznesmenit Jean Sassu, pronar i lokal-tavernave luksoze.
Media rumune “CANCAN” raportonte një lidhje indirekte të personazhit shqiptar me emrin e artistit dhe këngëtarit italian Al Bano Carrisi, në një projekt muzikor.
Po kjo media e lidhi emrin e tij me artist-këngëtarin tjetër shqiptar, Elis Shkoza, që jeton në Romë dhe bashkë me të vëllanë, Anxhelo Shkoza, posedojnë një shtëpi diskografike.
Madje pas plagosjes së pronarit të lokalit “Nuba” në Bukuresht vitin e kaluar, autoritetet rumune e shpallën në kërkim të riun me të dy emrat që kishte: Elis Rroshkodol dhe Elis Shkoza.
“Njeriu që goditi me thikë shefin në Nuba dyshohet se ka ndryshuar emrin dhe ka lidhje me Al Bano. Në mars të vitit 2021, shtypi italian njoftoi se dy artistë shqiptarë, vëllezërit nga Shkodra, Elis dhe Anxhelo Shkoza, kanë krijuar së fundmi kompaninë e tyre diskografike. Madje të dy arritën të bashkëpunonin me vajzën e artistit Al Bano Carrisi, Jasmina dhe premtuan se do të kishin një sukses të jashtëzakonshëm në industri”, shkruante media rumune në fjalë.


