Policia lokale e Genovas ka finalizuar një hetim të gjatë dhe ka shkatërruar një organizatë të strukturuar të trafikut të drogës, duke arrestuar 20 persona të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës. Mes të arrestuarve janë 18 shtetas senegalezë, një francez dhe një gabonez. Hetimet, të mbështetura në përgjime dhe ndjekje telefonike, zbuluan se grupi shpërndante 200–250 doza në ditë dhe përdorte metoda të sofistikuara për tregtim e shpërndarje, përfshirë edhe përdorimin e taksive për transportin e lëndës tek konsumatorët.
Hetuesit raportojnë se disa gra, të papaguara ose pa mjete financiare, ishin të detyruara të vepronin si “kavie” për të provuar cilësinë e drogës ose të paguanin me shërbime seksuale. Çdo dozë shitej me çmime që varionin nga 15 deri në 20 euro, ndërsa klientët herë-herë paguanin edhe me sende si kompjutera ose bizhuteri.
Masat paraprake u vendosën pas kërkesave të prokuroreve të DDA-së dhe urdhrit të gjyqtares Nicoletta Guerrero. Shtatëmbëdhjetë persona janë dërguar në burg, ndërsa tre të tjerë janë pezulluar nga lëvizja. Hetimi vazhdon për të dokumentuar rrjetin e furnizimit dhe për të identifikuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe kanalet logjistikë të organizatës.


