Një ngjarje e papritur ka ndodhur së fundmi në kampin e emigrantëve në Gjadër, ku mes refugjatëve ka plasur dhuna fizike.
Burimet për gazetaren Anila Hoxha pranë Prokurorisë dhe policisë lokale në zonën ku ndodhet kampi reaguan në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e djeshme.
“Shqipëria nuk është përfshirë në incidentin dhe revoltën e Gjadrit, ngjarja konsiderohet e ndodhur në territor italian” njoftojnë burimet.
Pak ditë pasi mbërritën në tokën shqiptare dhe u akomoduan në kampin e Gjadrit, emigrantët e sjellë nga Italia shkaktuan tensione.
Mediat fqinje kanë raportuar se një pjesë e emigrantëve që po mbahen në Gjadër prej 11 prillit janë revoltuar duke përfunduar kështu në akte dhune dhe dëme materiale.
Sipas autoriteteve italiane, rreth 20 emigrantë kanë dëmtuar dhomat ku po qëndrojnë, si dhe kanë shkatërruar një pjesë të pajisjeve brenda tyre.
3 prej emigrantëve mësohet se kanë marrë lëndime të lehta me thikë.
Pas këtij inciddenti ka ardhur reagimi nga autoritetet italiane, që menaxhojnë gjithçka ndodh brenda kampit, duke vendosur në izolim emigrantët problematikë.
Në lidhje me këtë situatë të rëndë të ndodhur brenda kampit shqiptar mediat italiane kanë pyetur ministrin e tyre të Brendshëm, Mateo Piantedosi, i cili ka konfirmuar se kontigjenti është problematik, pasi mes tyre ka edhe të akuzuar ose të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje të mbetur në tentativë, dhunë seksuale, lëndime, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje dhe posedim të lëndëve narkotike.
Kujtojmë se 40 emigrantët që mbërritën në Shëngjin me anije ‘Libra’ me 11 Prill, janë kontigjent kriminal ndaj iu është refuzuar azili në Itali.
Ata do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, derisa të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Afati maksimal i qëndrimit në Shqipëri do të jetë 18 muaj.