Sherri mes bashkëshortëve në një familje që jetojnë në Ersekë ka agravuar dhe ka mbërritur deri në dyert e policisë. Kjo e fundit, pasi ka administruar kallëzimin nga të dy palët e përfshira në konflikt, ka firmosur urdhrat e mbrojtjes.
Siç bëhet me dije në një njoftim për mediat, policia Kolonjë “referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit L. Xh. dhe A. Xh., banues në Ersekë (bashkëshortë), pasi dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Të dy u pajisën me urdhër mbrojtjeje”.
Por nëse këta bashkëshortë vazhdojnë të jetojnë nën një çati me urdhër mbrojtje, puna e policisë del e pavlerë. Kjo pasi urdhri i mbrojtjes detyron të akuzuarit të mos i afrohen njëri-tjetrit për një distancë të caktuar.
Ka pasur raste të së njëjtës situatë ku edhe pse Policia u ka dhënë urdhra mbrojtje të dhunuarve, çiftet kanë vijuar jetën nën një çati dhe konfliktet nuk janë sheshuar, duke sjellë dhe pasoja më të rënda.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Radar.al


