Pronari i kompanisë farmaceutike CFO Pharma, Nadir Çausholli, është përfshirë në një konflikt fizik të ndodhur mesditën e së hënës (6 korrik) në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas raportimeve, ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pamjet tregojnë Çaushollin duke u përballur me një person tjetër, i cili, sipas burimeve mediatike, është pronar i një lokali në zonë.
Rrethanat që çuan në konflikt nuk janë bërë ende të ditura. Megjithatë, mësohet se personi tjetër i përfshirë në ngjarje ka depozituar një kallëzim penal ndaj Çaushollit për veprat e pretenduara penale të “kanosjes” dhe “shkatërrimit të pronës”.
Në videon e publikuar, Çausholli shihet fillimisht duke bërë disa gjeste ndaj personit tjetër, ndërsa më pas tenton ta godasë me shkelm. Disa persona të pranishëm ndërhyjnë për të ndarë palët dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa më pas Çausholli largohet nga ambienti i lokalit i shoqëruar nga persona që ndodheshin me të.
Nadir Çausholli është pronar i kompanisë farmaceutike CFO Pharma, një nga operatorët e njohur në tregun farmaceutik shqiptar. Emri i kompanisë është përmendur edhe më herët në hetime të Prokurorisë së Tiranës, ku disa punonjës të saj u vunë nën masa sigurie në kuadër të një procedimi për një skemë të dyshuar mashtrimi me rimbursimin e barnave.
Sipas autoriteteve, dëmi i dyshuar ekonomik i shkaktuar buxhetit të shtetit është vlerësuar fillimisht në rreth 700 mijë euro, ndërsa Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka raportuar se vlera e dëmit të dyshuar mund të kalojë 2.3 milionë euro. Hetimet për këtë çështje vijojnë.


