E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar sot një takim me Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho, dhe Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.
Gjatë takimit, VanHorn i përgëzoi drejtuesit e rinj për marrjen e detyrave drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për punën e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të narkotikëve.
Në një postim të Ambasadës Amerikane në Tiranë, u rikujtua gjithashtu një deklaratë e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili thekson angazhimin e SHBA-së në goditjen e rrjeteve kriminale:
“Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë.”
Takimi konsiderohet një sinjal i fortë politik dhe institucional, që konfirmon mbështetjen e vazhdueshme amerikane për institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe forcimin e sundimit të ligjit.


