Pak para sulmit me raketa të Iranit mbi bazën amerikane Al Udeid në Katar, SHBA kishte larguar një pjesë të konsiderueshme të avionëve ushtarakë nga kjo bazë. Një imazh satelitor i datës 19 qershor, i publikuar nga CNN, tregon qartë boshatisjen e pjesës më të madhe të avionëve ushtarakë amerikanë nga Al Udeid, duke sinjalizuar se lëvizja ishte bërë përpara sulmit të paralajmëruar.
Sipas dy zyrtarëve të mbrojtjes që folën për CNN, ky veprim ishte pjesë e masave parandaluese të ushtrisë amerikane për të mbrojtur pajisjet dhe asetet ushtarake në rajon, mes përshkallëzimit të krizës midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.
Lëvizje të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga Marina Amerikane. Të gjitha anijet luftarake të pozicionuara më parë në bazën detare të SHBA-ve në Bahrein (Naval Support Activity Bahrain) u larguan nga porti javën e kaluar. Destinacioni i tyre mbetet ende i pazbuluar.
Sulmi i sotëm i Iranit, i cili u krye si përgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi objektivat bërthamore iraniane gjatë fundjavës, përfshiu lëshimin e disa raketave drejt Al Udeid. Megjithatë, autoritetet në Katar konfirmuan se sistemet mbrojtëse ajrore kapën të gjitha raketat, pa shkaktuar dëme apo viktima.


