Gazetari i njohur sportiv, Dritan Shakohoxha, është ndaluar për disa orë nga autoritetet serbe në aeroportin e Beogradit, pak para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Sipas asaj që vetë Shakohoxha ka deklaruar për Top Channel, ai dhe disa kolegë nga Shqipëria u mbajtën për rreth tre orë pa asnjë shpjegim zyrtar.
“Ishte një situatë absurde,” – tha ai. – “Na morën pasaportat dhe nuk na thonin asgjë. Më pas pashë që emri im, i Arlind Sadikut dhe disa komentatorëve të tjerë shqiptarë ishin në një lloj ‘liste të zezë’. Na pyesnin herë pas here pse kishim ardhur në Beograd, pastaj largoheshin e riktheheshin. Një marrëzi e pafund.”
Pas disa orësh pritjeje, gazetarët u lejuan të hynin në territorin serb. Shakohoxha tha se do të jetë nesër në stadium për ndeshjen, “nëse serbët nuk bëjnë sërish ndonjë çmenduri ndaj gazetarëve shqiptarë”.
Ky është incidenti i dytë që Shakohoxha përjeton në Serbi, pas ngjarjes së ngjashme të ndodhur 11 vite më parë në Beograd.


