Në Novi Sad sonte pritet një protestë e madhe studentore me moton “Serbi, a mund të dëgjohemi?”, ndërsa tubime mbështetëse janë planifikuar edhe në qytete të tjera të vendit.
Tubimi nis në orën 19:00, por që më herët forca të shumta policore kanë zbarkuar në kampusin e Universitetit të Novi Sadit. Studentët akuzojnë qeverinë se ka shkelur autonominë universitare, duke vendosur policë në ndërtesat e Fakultetit të Filozofisë dhe Fakultetit të Sportit e Edukimit Fizik.
Sipas mediave serbe, Fakulteti i Filozofisë është i mbushur me policë, ndërsa përmes dritareve shihen forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe xhandarmëria. Studentët kishin denoncuar se dhjetë ditë më parë ishin përjashtuar me forcë nga godina e fakultetit.


