Dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatin Belinë të Njësisë Administrative Zharrëz janë përmbytur pasi lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha në kulturat e grurit.
Banorët thonë se prurje të tilla nuk janë parë prej vitesh dhe se çarja e argjinaturës ka bërë që i gjithë prodhimi të shkatërrohet. Nën ujë kanë mbetur edhe disa puse aktivë nafte të kompanisë “Bankers”, ku prej së premtes puna është ndërprerë. Përmbytjet kanë dëmtuar gjithashtu koshere bletësh, të cilat janë rrënuar nga uji.
Në nivel qarku, në Fier raportohen rreth 110 hektarë tokë me prezencë uji në zonat Kashisht–Çerven dhe Ferras, duke rritur më tej shqetësimin për dëmet që po shkakton situata e rënduar meteorologjike.


