Lumi Seman ka çarë mesditën e sotme argjinaturën në disa segmente pranë fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas, në zonën e Libofshës, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.
Uji ka vërshuar përtej mbrojtjes së argjinaturës, duke përmbytur toka të shumta bujqësore dhe duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët, të cilët thonë se nuk kanë parë më parë një nivel kaq të lartë të prurjeve. Sipas tyre, rritja e vazhdueshme e ujit po i afrohet zonave të banuara dhe rrezikon banesat.
Në terren ndodhen forcat e Bordit të Kullimit, të cilat po punojnë me mjete të rënda për të disiplinuar prurjet drejt kolektorit të hidrovori të Karavastas, me synim shmangien e përmbytjeve të mëtejshme dhe mbrojtjen e banesave dhe paneleve fotovoltaike.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet, ndërsa banorëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal.
Si pasojë e përmbytjes, qindra hektarë tokë bujqësore ndodhen tashmë nën ujë.


