Autoritetet italiane kanë publikuar pamjet e operacionit ku u sekuestruan pasuritë e vëllezërve Suel dhe Mario Çela, të dyshuar për pastrim parash në Itali, të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës nga mafia shqiptare.
Sipas hetimeve të përbashkëta të Guardia di Finanza të Veronës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, familja kriminale me origjinë nga Elbasani ka investuar miliona euro në sektorin e pasurive të paluajtshme në territorin e Veronës. Paratë vijnë kryesisht nga trafiku i kokainës të importuar nga Amerika e Jugut për tregun europian.
Gjykata e Veronës ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, aksioneve në kompani dhe fondeve financiare me vlerë rreth 4 milionë euro, masë e ekzekutuar sot. Njëri nga vëllezërit është në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në burg në Belgjikë, me akuza për përfshirje në një vrasje të një anëtari të një klani rival në Antverpen.
Hetimet zbulojnë përdorimin e një kompanie imobiliare për blerje dhe rikonstruksione të ndërtesave, të cilat më pas jepen me qira, duke përdorur kanale financiare të pazakonta nga Shqipëria për pastrimin e parave.


