Në seancën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, kanë munguar disa prej përfaqësuesve socialistë. Anëtarët Joleza Koka, Aldo Merkoci dhe aktori Gazment Paja nuk morën pjesë në mbledhje, duke u bashkuar kështu bojkotit.
Mungesa më e spikatur ishte ajo e kryetares në detyrë të Këshillit, Anuela Ristani, e cila sipas rregullores duhej të drejtonte seancën.
Në vend të saj, mbledhjen e hapi dhe e drejtoi Megi Fino, e cila theksoi se vendimmarrja për shkarkimin e Veliajt është e diktuar nga rrethanat e krijuara pas arrestimit të tij.
Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosi sot që të refuzojë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për të marrë pjesë në mbledhjen ku do të vendoset për shkarkimin e tij.
Vendimi që Veliaj të mos dëgjohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u mor edhe me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, të cilët edhe kanë propozuar shkarkimin e tij nga detyra.


