Site icon Informohu siç duhet

Sa bunkerë ka Serbia për raste lufte?

Sa bunkerë ka Serbia për raste lufte?

Në Serbi nuk dihet saktësisht se sa strehimore atomike ka. Nuk dihet as cilësia e tyre. Dihet vetëm se ndërtimi i tyre është lënë pas dore.

Ndërkohë që vetëm Novi Sadi ka 158 strehimore, Çaçaku 25, ndërsa Beogradi ka 980 strehimore. Në të gjitha qytetet e Serbisëka 1442 strehimore publike nën kujdesin e ndonjë kompanie publike.

Dragan Popoviq, menaxher i strehimoreve në Nish na tregon edhe një strehimore për raste të sulmeve bërthamore, e cila gjendet në qendër të Nishit. Këtu ka dhe shtretër. “Ka edhe një instalim të ujësjellësit, ka tualete të thata. Ka fuçi për mbeturina dhe ujë të pastër, të cilat janë projektuar për furnizim në kohëzgjatje prej tre ditësh”, thotë Popoviq për DW.

“Ka dhe hidrantë për shuarjen e zjarreve, ka edhe një dhomë me pajisje me ajër të pastër në strehimore. Ajri vjen nga jashtë dhe filtrohet. Mund të bëhet edhe me dorë në rast të ndërprerjes së rrymës, sepse këtu kemi edhe gjeneratorë dore”, sqaron bashkëbiseduesi ynë dhe shton se kjo kompani publike është tërësisht vetëfinancuese.

“Që nga viti 2011 nuk kemi pasur asnjë subvencion nga qeveria pasi që u hoq obligimi për pagesën e tarifave për ndërtim dhe mirëmbajtje. Është hequr edhe obligimi i investitorëve për ndërtimin e strehimores”, thotë ai.

Një i ri, që ka lindur në kohën e bombardimeve, shpjegon se as që mund ta imagjinonte se si është të jesh në një strehimore. Ai shton se nuk do të qëndronte atje. Nga ana tjetër, një zonjë e moshuar thotë se rregullimi i strehimoreve është një veprim i shkëlqyer dhe se Serbia duhet të jetë e gatshme për të gjitha situatat.

Përveç strehimoreve që i përkasin kompanive publike, ka edhe strehimore që i përkasin të tjerëve, por të tilla ka vetëm disa dhe ato kryesisht janë shndërruar në depo. Ka edhe strehimore në ish-fabrika që janë privatizuar. Por nga Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i thanë DW se nuk kanë informacion për numrin e strehimoreve brenda objekteve të banimit.

Gjithçka varet nga paratë, dhe paratë varen nga analiza

Ndërtimi i strehimoreve të reja dhe meremetimi i të vjetrave kushton shumë. Hera e fundit që Serbia ka qenë aktive në ndërtimin e strehimoreve ka qenë në fillim të viteve nëntëdhjetë, në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi. Por për ndryshime në këto fusha duhet të bëhen edhe ndryshimet e Ligjit për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe Menaxhimin e Emergjencave. Kjo do të thotë se të gjitha strehimoret që tani menaxhohen të decentralizuara do të viheshin nën administrimin e agjencisë së re për mbrojtjen civile. Kjo agjenci, sipas ekspertëve, më pas mund të blejë në mënyrë transparente gjithçka që i nevojitet – nga thasët e gjumit e deri tek pastruesit e ajrit.

Gjatë bombardimeve, zona të shumta nëntokësore u përdorën si strehimore – si për shembull bodrumet dhe objekte të tjera. “Strehimoret bërthamore kanë një shkallë të qartë të mbrojtjes nga rrezatimi. Ato janë ndërtuar me qëllim në Serbi gjatë Luftës së Ftohtë dhe janë bërë prej betoni mbi një metër të trashë dhe më pas janë veshur me mbrojtje kundër rrezatimit”. Por Serbia ka akoma pak strehimore për të strehuar të gjithë në rast nevoje./DW

Exit mobile version