Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot para Parlamentit Evropian se presidenti amerikan, Donald Trump, është një figurë thelbësore për aleancën dhe shumë i përkushtuar ndaj saj, duke sfiduar shqetësimet e shumicës së eurodeputetëve mbi retorikën e tij ndaj Evropës, raportoi Euronews.
Ndërsa kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, kishte përkufizuar kërcënimet e Trump për Groenlandën si “fundin e NATO-s”, Rutte theksoi se presidenti amerikan meriton mbrojtje dhe ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për forcimin e aleancës.
“Shpenzimet prej 2% të PBB-së nga të gjitha vendet e NATO-s deri në fund të 2025-ës nuk do të kishin ndodhur kurrë pa Trumpin. A mendoni se Spanja, Italia, Belgjika dhe Kanadaja do të kalonin nga 1,5% në 2% pa presidentin Trump? Kurrë!”, tha Rutte.
Ai gjithashtu nënvizoi se Evropa mbetet thelbësisht e varur nga mbështetja amerikane për sigurinë. “Nëse dikush këtu mendon se Bashkimi Evropian mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhdoni të ëndërroni. Nuk mundeni. Nëse do të vepronit të pavarura, do të duhej të investonit 10% të PBB-së për kapacitete bërthamore,” shtoi ai.
Rutte u ndal edhe te situata në Ukrainë, duke lavdëruar BE-në për mobilizimin e një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin, por i bëri thirrje Parlamentit që të mos vendosë kushte strikte që paratë të përdoren vetëm për blerjen e armëve të prodhuara në Evropë.
“Evropa po ndërton industrinë e saj të mbrojtjes, por aktualisht nuk mund të ofrojë gjithçka që i nevojitet Ukrainës për të mbrojtur veten. Mbështetja ushtarake amerikane është e domosdoshme. Pa këtë fluks armësh nga SHBA, nuk mund ta mbajmë Ukrainën në luftë,” përfundoi Rutte gjatë seancës dëgjimore para Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Parlamentit Evropian.


