Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle të përforcuara gjatë 72 orëve të fundit, duke goditur drejtuesit e papërgjegjshëm që rrezikojnë sigurinë rrugore.
Si rezultat, janë arrestuar 8 persona dhe janë vendosur mbi 5300 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme. Po kështu policia nuk ka kursyer as këmbësorët për shkelje të ndryshme.
Të arrestuarit përfshijnë:
4 persona për drejtim mjeti në gjendje të dehur
3 persona për drejtim pa leje drejtimi
1 person për drejtim nën efektin e lëndëve narkotike
2 persona të ndaluar, të shpallur më parë në kërkim për shkelje rrugore
1 person i proceduar penalisht për tentativë korrupsioni ndaj efektivëve, pasi u kap duke përdorur celularin në timon
Gjithashtu, janë vendosur gjoba ndaj 5300 drejtuesve, kryesisht për:
parakalime të rrezikshme
tejkalim të shpejtësisë
përdorim të celularit gjatë drejtimit
mungesë të rripit të sigurimit ose të kaskës mbrojtëse
Policia ka ndërhyrë edhe ndaj bllokimeve të hapësirave publike, duke tërhequr me mjet ngritës 10 automjete të parkuara në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje 24/7, ndërsa Policia Rrugore u bën apel qytetarëve të respektojnë rregullat dhe të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.


