Vietnami qendror po përballet me përmbytjet më të rënda të dekadave të fundit, pas shirave të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar të paktën 35 viktima gjatë kësaj jave, ndërsa pesë persona të tjerë raportohen ende të zhdukur, sipas autoriteteve të menaxhimit të fatkeqësive.
Rreshjet intensive kanë goditur provincat bregdetare që nga fundjava e kaluar, duke sjellë nivele rekord reshjesh – deri në 1.7 metra ujë brenda vetëm 24 orëve.
Situata është veçanërisht kritike në qytetin historik Hoi An, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku rrugët janë përmbytur plotësisht dhe banorët lëvizin me varka përmes ujërave që kanë përfshirë shtëpi dhe biznese.
Autoritetet lokale raportojnë se niveli i lumit në zonë ka arritur pikën më të lartë në 60 vitet e fundit, duke izoluar mijëra familje, ndërprerë qarkullimin dhe shkatërruar toka të gjera bujqësore.
Më shumë se 16,500 banesa janë përmbytur, ndërsa rreth 40,000 kafshë kanë ngordhur si pasojë e katastrofës natyrore.


