Pasi në rregulloren e re u vendos që çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve të rriten me 30%, në lidhje me këtë ndryshim ka reaguar gazetari i njohur Emirjon Senja.
Nëpërmjet një postimi të bërë në profilin e tij në rrjet, gazetari e ka cilësuar këtë si një padrejtësi që penalizon drejtuesit korrektë dhe shpërblen kompanitë e sigurimeve.
Më tej Senja zbulon përvojën personale, duke nënvizuar faktin se çmimi i sigurimit të automjetit të tij është rritur me 22 euro, edhe pse ai nuk ka shkaktuar asnjë aksident ndër vite.
Sipas gazetarit, shkaku i kësaj situate është rregullorja e re e miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila ka deformuar sistemin bonus-malus.
Më tej përgjatë postimi Senja kritikon ashpër mungesën e transparencës dhe zbatimin e pjesshëm të këtij sistemi, që, sipas tij, është kthyer në një mjet për të përfituar më shumë nga qytetarët.
Ai gjithashtu ka vënë në dukje indiferencën e publikut për çështje që prekin drejtpërdrejt xhepin e tyre.


