Rritet ndjeshëm numri i rasteve me kancer të stomakut në Shqipëri, duke përfshirë gjithnjë e më shumë të rinj, madje edhe persona në moshën 20-vjeçare. Sipas mjekëve gastrohepatologë, situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.
Mjekja Vigjilenca Demiraj ka deklaruar për Top Channel se incidenca ka arritur në 13 raste për çdo 100 mijë banorë dhe se Shqipëria mban vendin e parë në rajon për vdekshmëri nga kjo sëmundje. Simptomat e para që duhet të ngjallin dyshim për kancer të stomakut përfshijnë këputjen e vazhdueshme, humbjen e oreksit dhe neverinë ndaj mishit.
Një ndër shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje është prania e bakterit Helicobacter pylori në stomak, i cili përhapet lehtësisht brenda familjes përmes kontakteve të afërta si puthjet apo përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Një studim i zhvilluar në disa shkolla fillore në Tiranë ka treguar se 80-90% e fëmijëve të moshës 7 deri në 10 vjeç janë bartës të këtij bakterit.
Edhe pse në disa raste ai qëndron në trup pa shkaktuar pasoja, tek persona të tjerë mund të çojë në zhvillimin e kancerit të stomakut në moshë madhore. Mjekja Demiraj thekson se 80% e atyre që mbartin Helikobakterin janë në rrezik të lartë për të zhvilluar këtë lloj kanceri. Mjekët apelojnë për më shumë ndërgjegjësim, kontrolle të rregullta dhe diagnostikim të hershëm si mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.


