Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim të rëndësishëm për reshje të dendura shiu që priten më 17–18 Nëntor, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje, vërshime të shpejta dhe rrëshqitje dherash në disa zona të vendit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet më intensive do të përfshijnë qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Lezha pritet të ketë reshje të forta, ndërsa Dibra, Durrësi dhe Tirana do të përjetojnë reshje mesatare deri intensive. Rreziku kryesor mbetet për zonat urbane dhe ato pranë lumenjve.
Autoritetet paralajmërojnë për rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, duke ngritur nivelin e gatishmërisë për zonat që rrezikohen nga dalja e tyre nga shtrati.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive dhe strukturave vendore të marrin masa urgjente, përfshirë:
Njoftimin e popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve të rrezikuara
Kontrollin dhe pastrimin e kanalizimeve, kolektorëve dhe pusetave
Vendosjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve
Monitorimin e vazhdueshëm të niveleve të ujit
Organizimin e evakuimeve preventive në zonat me risk
Qytetarëve u bëhet apel të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikshme, të mos kalojnë nëpër rrugët e përmbytura dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Ministria e Mbrojtjes thekson se strukturat e emergjencës janë në gatishmëri të plotë për t’u përgjigjur ndaj çdo situate të mundshme.


