Gjendja shëndetësore e 2-vjeçares shqiptare, e cila disa ditë më parë ra aksidentalisht në një shatërvan në zonën e Kallitheas në Greqi, po përmirësohet ndjeshëm. Sipas mjekëve, vogëlushja tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën.
Fëmija u nxor nga uji pa shenja jete dhe iu nënshtrua menjëherë ndihmës së parë në vendngjarje. Sipas raportimeve, një 25-vjeçar i pranishëm në zonë ndërhyri duke i dhënë frymëmarrje artificiale (CPR), çka rezultoi vendimtare për rikthimin e shenjave jetësore. Më pas, ajo u transportua në gjendje kritike në spitalin e fëmijëve.
Kreu i POEDIN dhe drejtues i spitalit, Michalis Giannakos, deklaroi se gjendja e vajzës paraqet përmirësim dhe ka optimizëm për rikuperim të plotë. Ai theksoi se rasti ishte veçanërisht i vështirë, duke pasur parasysh se truri kishte mbetur pa oksigjen për një periudhë të konsiderueshme kohe.

Ndërkohë, për ngjarjen policia greke arrestoi babanë 25-vjeçar dhe procedoi penalisht nënën 23-vjeçare për mungesë të kujdesit ndaj të miturës. Sipas autoriteteve, prindërit fillimisht kishin deklaruar se fëmija ishte 5 vjeç.
Sipas dëshmitarëve, vogëlushja u gjet pa ndjenja në ujë dhe ndërhyrja e menjëhershme me CPR bëri të mundur ringjalljen e saj. Ajo vijon të mbahet nën kujdes intensiv mjekësor, por jashtë rrezikut për jetën.


