Profesori i Gjeofizikës në Universitetin Aristoteli të Selanikut dhe president i Institutit për Studimin dhe Monitorimin e Vullkanit të Santorinit (IMPIS), Kostas Papazachos, ka analizuar skenarët e mundshëm të një cunami që mund të shkaktohet nga aktivizimi i vullkanit nënujor Kolumbo, i ndodhur rreth 6 kilometra në verilindje të Santorinit.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Bulletin of Volcanology, bazohet në simulime të gjenerimit të valëve të gravitetit detar dhe vlerëson ndikimin e mundshëm të një shembjeje të kalderës së vullkanit.
Sipas rezultateve, zonat brenda kalderës së Santorinit dhe portet konsiderohen relativisht të sigurta, me valë që nuk do të kalonin një metër. Ndryshe paraqitet situata për brigjet lindore dhe juglindore të ishullit, si Monolithos, Kamari dhe Perissa, të cilat janë më të ekspozuara dhe mund të përballen me valë nga 5 deri në 10 metra në rast të një skenari ekstrem.
Studimi tregon gjithashtu se vala e cunamit mund të arrijë brigjet më të afërta brenda 2–3 minutash, ndërsa zonat më të largëta mund të preken brenda rreth 10 minutash.
Papazachos thekson se këto skenarë nuk përbëjnë një rrezik të menjëhershëm, por shërbejnë si bazë për përgatitje dhe planifikim në rast të një fenomeni ekstrem në të ardhmen. Ai nënvizon rëndësinë që banorët dhe vizitorët të jenë të informuar për zonat e sigurta dhe procedurat e evakuimit në rast paralajmërimi për cunami.
“Santorini mbetet i sigurt, por studime të tilla ndihmojnë në përmirësimin e planeve të emergjencës dhe në mbrojtjen e banorëve dhe turistëve nga rreziqe specifike”, u shpreh profesori.


