Këngëtari i njohur Robbie Williams (51) ka treguar se përdorimi i injeksioneve për dobësim, përfshirë Mounjaro, po i ka përkeqësuar ndjeshëm shikimin. Ai ka pranuar se shikimi i tij është bërë i turbullt dhe se gjendja “po përkeqësohet çdo ditë”.
Williams rrëfeu se gjatë një performance nuk mund të dallonte fytyrat e fansave dhe u bëri thirrje njerëzve të informohen mirë mbi rreziqet përpara se të përdorin preparate të ngjashme. “Dua të paralajmëroj këdo që po e lexon këtë për rreziqet e mundshme, në mënyrë që të jenë plotësisht të informuar,” tha ai për The Sun.
Problemet me shikimin nisën gjatë një ndeshjeje të futbollit amerikan, kur lojtarët i dukeshin si “forma pa konture”. Edhe pse së fundmi ka provuar syze të reja, ai beson se përkeqësimi lidhet me injeksionet për dobësim dhe jo me moshën.
Mounjaro vepron duke imituar hormonet GLP-1 dhe GIP të trupit, duke reduktuar oreksin dhe duke vonuar zbrazjen e stomakut, gjë që ndihmon në humbjen e peshës. Ky ilaç përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, gjithmonë i kombinuar me ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik.
Williams ka treguar më parë se injeksionet e kanë ndihmuar të humbasë peshë, duke rënë nga rreth 88.5 kg në 76.6 kg. Megjithatë, ai paralajmëron se përdorimi i tyre mund të ketë efekte anësore serioze, siç është përkeqësimi i shikimit, dhe këshillon fansat të jenë të kujdesshëm.


