Në seancën e radhës parlamentare, ditën e nesërme pritet të votohet buxheti nen për nen i vitit 2025, pasi u realizua shqyrtimi dhe diskutimet në të gjitha komisionet parlamentare.
Kujtojmë se në këtë seancë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet e aktivitetit parlamentar, pas afro 1 viti mungese për shkak të arrestit shtëpiak dhe akuzave në dosjen e aferës “Partizani”, rikthehet kryedemokrati Sali Berisha, i cili buxhetin prej 8.2 mld eurosh e konsideroi si draftin e vjedhjeve të mëdha.
Berisha një ditë para njoftoi edhe 2 amendamente në buxhet me firmën e tij, teksa paralajmëron rikthim të fuqishëm në Parlament.
“Ju jeni dëshmitarë se si dritarja zëvendësoi parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. Kështu që unë kthehem nesër në Parlament në vazhdim të betejës sime gjer në fitore. Kjo është!”, shprehet kryetari i PD ndër të tjera.
Rikthimi i Sali Berishës u shënjua me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij.
Pritet që mazhoranca të refuzojë amendamentet e demokratëve dhe të mbajë në seancë plenare kartonët e kuq.
Gjatë mbledhjes së grupit, amendamentet e Partisë Demokratike janë konsideruar provokim politik nga socialistët, gjë që priret të reflektohet edhe në qëndrimin e tyre në seancë.
Teksa dinamika në Parlament pritet të ndryshojë me rikthimin e Sali Berishës, në rast të ndonjë skenari kaotik dhe moslejimi nga opozita të një seancë normale, do të kalohet direkt në votim.


