Buckingham Palace ka bërë publike masat më të ashpra ndaj Princit Andrew, pas vazhdimit të polemikave lidhur me lidhjet e tij me financierin dhe pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein. Në një njoftim zyrtar, Pallati Mbretëror konfirmon se Andrew humbet të gjithë titujt dhe nderimet, si dhe do të largohet nga rezidenca e tij në Royal Lodge, Windsor.
Në deklaratë thuhet se Mbreti Charles ka nisur procesin formal për heqjen e titujve dhe nderimeve të tij, ndërsa në dokumentet zyrtare ai do të njihet thjesht si Andrew Mountbatten-Windsor. Sipas burimeve nga Pallati, princi nuk ka kundërshtuar vendimin.
“Titujt dhe nderimet e Princit Andrew do të hiqen. Qiraja e tij në Royal Lodge i siguronte një qëndrim ligjërisht të mbrojtur, por tashmë është dorëzuar njoftimi për lirim dhe ai do të zhvendoset në një rezidencë private alternative. Këto masa janë të domosdoshme, pavarësisht se ai vazhdon të mohojë akuzat”, – thuhet në deklaratën e Buckingham Palace.
Sipas raportimeve britanike, Princi Andrew do të zhvendoset në një pronë më të vogël brenda Sandringham Estate në Norfolk, e financuar privatisht nga Mbreti Charles. Edhe ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, do të largohet nga Royal Lodge dhe do të sistemojë banesën e saj.
Pallati theksoi gjithashtu se mbretëria shpreh mbështetje për viktimat dhe mbijetuesit e çdo forme abuzimi, duke e konsideruar këtë vendim si pjesë të përpjekjeve për të ruajtur integritetin e institucionit mbretëror.
Lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, e përshëndeti vendimin duke deklaruar:
“Mbreti ka vepruar drejt. Pozita e Princit Andrew ishte bërë e papranueshme dhe turpëruese për institucionin dhe vendin. Ky është një hap i rëndësishëm për të rikthyer besimin tek monarkia dhe për të mbyllur një kapitull të errët në historinë e saj.”


