Porti i Durrësit po përjeton ditë të ngarkuara si rrallëherë më parë, duke u kthyer në një nga pikat më të frekuentuara të qarkullimit ndërkombëtar gjatë këtij sezoni turistik.
Nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes, terminali i pasagjerëve është i mbushur me qytetarë që hyjnë dhe dalin nga vendi, kryesisht emigrantë që kthehen për pushime në atdhe.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy javët e para të gushtit kanë lëvizur përmes Portit të Durrësit 117,006 pasagjerë dhe 31,602 automjete, duke shënuar një fluks të jashtëzakonshëm për këtë periudhë.
Për të menaxhuar volumin e lartë të udhëtarëve, Administrata Doganore Shqiptare ka angazhuar kapacitete të plota dhe ka zgjeruar turnet e punës, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më të organizuar, efikas dhe të sigurt.


