Një raport i publikuar nga The Wall Street Journal ka nxitur debat të gjerë, duke zbuluar detaje mbi ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump në çështjen e pezullimit të sulmuesit të kombëtares së SHBA-së, Folarin Balogun, gjatë Kupës së Botës 2026.
Sipas raportit, disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane e konsideruan kartonin e kuq të Balogun në ndeshjen ndaj Bosnje-Hercegovinës si një goditje të rëndë për ambiciet e SHBA-së në turne. Ata i kërkuan Trump të kontaktonte presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar një rishikim të vendimit.
Mediat amerikane raportojnë se presidenti u bind nga Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe Andrew Giuliani, drejtues i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës dhe djali i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Sipas tyre, mungesa e Balogun do të dëmtonte ndjeshëm shanset e SHBA-së në përballjen me Belgjikën.
Pas kontakteve me Infantinon, Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi të heqë pezullimin e një ndeshjeje ndaj Balogun, duke u mbështetur në një dispozitë të Kodit Disiplinor që i jep të drejtën të rishikojë sanksionet në raste të veçanta. Vetë Trump konfirmoi më pas se kishte kërkuar një rishikim të vendimit, por theksoi se nuk i kishte diktuar FIFA-s se çfarë duhej të bënte.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Federata Belge e Futbollit e cilësoi atë të papranueshëm dhe paralajmëroi se po shqyrton hapat ligjorë, ndërsa trajnerë dhe drejtues të futbollit europian kanë shprehur shqetësim se rasti mund të dëmtojë besueshmërinë e turneut.
Nga ana e saj, FIFA ka mohuar se vendimi është ndikuar nga presioni politik, duke deklaruar se rishikimi është bërë në mënyrë të pavarur nga Komisioni Disiplinor. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar zyrtarisht raportimin e The Wall Street Journal.


