Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura, duke iu dhënë një nivel të ri vëmendjeje dhe mbështetjeje profesionale.
Deklarata u bë gjatë aktivitetit për transformimin e Forcës zjarrfikëse dhe inovacionin në Farkë, ku morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Rama theksoi se rritja e pagave është pjesë e një strategjie për t’i çuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s deri në vitin 2030, duke përfshirë modernizimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e teknologjisë për zjarrfikësit.
“Ndaj zjarrfikësve kemi një borxh që nuk mund ta lëmë të thellohet. Ata përballen me sfida kolosale çdo verë, dhe pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide,” tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se përveç pagave, planifikohet edhe modernizim i të gjithë trupës së zjarrfikësve, për të garantuar performancë më të mirë dhe mbështetje të plotë teknike gjatë operacioneve.
“Ky vit do të jetë kyç për të pasur një performancë shumë më të mirë në territor, ku jo vetëm shpirti i sakrificës, por edhe aftësitë teknike dhe mbështetja me mjete do të rriten vit pas viti,” tha Rama.


