Gjatë një takimi elektoral në Kukës, Kryeministri Edi Rama prezantoi sërish nismën “Paketa e Maleve”, duke i bërë thirrje veçanërisht të rinjve shqiptarë në emigracion, e sidomos atyre që ndodhen në Londër, të investojnë në trojet e të parëve të tyre në Shqipëri.
Sipas kryeministrit, për 500 aplikantët e parë që marrin pjesë në këtë nismë, nuk do të aplikohet asnjë taksë për një periudhë 10-vjeçare. Rama theksoi se çdo qytetar që dëshiron të investojë në tokat që historikisht kanë qenë në pronësi të familjes së tij, mund ta bëjë këtë me një procedurë të thjeshtuar dhe tokën ta marrë me vlerën simbolike prej 1 euro.
Procedura e përfshirjes në “Paketën e Maleve” është si më poshtë:
Qytetari paraqitet në bashki dhe dorëzon kërkesën për të njohur tokën si pronë të trashëguar.
Bashkia e përcjell kërkesën në Këshillin Bashkiak, i cili afishon kërkesën për 30 ditë.
Pas përfundimit të periudhës së afishimit dhe nëse prona nuk kontestohet, miratohet e drejta për investim.
Më pas, qytetari harton një projekt dhe nënshkruan kontratën me Ministrinë e Ekonomisë, duke përfituar të drejtën për ta marrë tokën me 1 euro.
Pas përfundimit të investimit, qytetari përfiton të drejtën për regjistrimin e pronës në hipotekë.
Rama theksoi gjithashtu se në rast se pas investimit shfaqen pretendime nga palë të treta, investitori nuk do të dëmtohet. Shteti do të marrë përsipër zgjidhjen e konfliktit dhe kompensimin e palës që pretendon.


