Nga sheshi “Skënderbej”, i mbushur me mbështetës dhe drejtues të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim falënderues pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Është ndoshta fjala më e vështirë fitoreje që kam mbajtur ndonjëherë,” – u shpreh Rama – duke theksuar se kjo është një arritje historike jo vetëm për Partinë Socialiste, por për Shqipërinë në një moment kyç të rrugëtimit drejt integrimit europian.

Ai falënderoi strukturat e PS-së për punën 4-vjeçare dhe veçanërisht angazhimin intensiv në nëntë muajt e fundit, duke e quajtur këtë fitore “të paharrueshme”. Në mënyrë të veçantë, Rama shprehu mirënjohje për shqiptarët jashtë vendit që morën pjesë në zgjedhje për herë të parë, duke e cilësuar procesin si një nga më të suksesshmit në përfshirjen e diasporës në Evropë.
“Faleminderit nga zemra të gjithë shqiptarëve që na besuan, brenda dhe jashtë vendit. Kjo fitore është gur themeli për një kapitull të ri në historinë tonë europiane,” – përfundoi Rama, duke përqafuar simbolikisht qytetarët nga sheshi i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.