Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të martë një video në rrjetet sociale, ku shfaqen profile anonime që kanë publikuar komente me gjuhë fyese dhe ofenduese ndaj tij.
Sipas videos së shpërndarë nga kreu i qeverisë, një pjesë e këtyre llogarive janë krijuar së fundmi në rrjetet sociale dhe rezultojnë pa ndjekës, ndërsa komentet e tyre paraqiten si pjesë e një aktiviteti të koordinuar.
“Çorba e sorrave, korbave dhe kuzhinierëve nga Lindja, ku prodhohet shumica e helmit të urrejtjes digjitale (së shpejti edhe prova)”, shkroi Rama krahas videos së publikuar.
Kryeministri nuk paraqiti prova në postimin e tij për të mbështetur pretendimin se komentet janë pjesë e një fushate të organizuar ose se ato kanë origjinë nga jashtë vendit, duke shtuar vetëm se prova do të publikohen së shpejti.
Ndërkohë, prej 37 ditësh në Tiranë vijon protesta kundër projektit të investimit në Zvërnec. Javën e kaluar u regjistruan tensione përpara Kuvendit gjatë zhvillimit të seancës plenare, ku një grup protestuesish hodhën vezë dhe sende të forta në drejtim të deputetëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Një tjetër incident u raportua edhe pranë Komisariatit nr. 3.


