Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se programi kombëtar “Dyfisho ndërmarrjen tënde” nuk do të jetë i aksesueshëm nga sipërmarrjet e mëdha, por do të fokusohet ekskluzivisht tek startup-et dhe bizneset e vogla e të mesme.
Deklarata u bë gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të sektorit të agroturizmit, ku Rama diskutoi edhe për nisma të tjera mbështetëse për sipërmarrjen, përfshirë “Paketën e Maleve”.
Sipas tij, programi pritet të lançohet së shpejti dhe në fund të muajit prill do të formalizohet marrëveshja mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë shqiptare. Skema do të bazohet në një linjë financimi të garantuar nga shteti dhe e kanalizuar përmes sistemit bankar.
Rama theksoi se kredia do të ketë kushte më të favorshme se tregu, me interes më të ulët dhe një kufi financimi deri në 2 milionë euro. Ai sqaroi se programi është menduar për të mbështetur rritjen e bizneseve ekzistuese të vogla e të mesme, si dhe të sipërmarrjeve të reja.
“Dyfisho ndërmarrjen tënde”, sipas tij, synon të nxisë zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, veçanërisht në sektorë si agroturizmi, agropërpunimi dhe eksportet, duke përfshirë edhe modele të integruara biznesi në zonat rurale.
Në fokus, sipas kryeministrit, është mbështetja e prodhimit vendas dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve shqiptare në tregje.


