Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestën kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, duke e shoqëruar mesazhin e tij me një postim në rrjetet sociale.
Rama përdori një metaforë për të dalluar, siç u shpreh ai, dy qëndrime të ndryshme ndaj vendit.
“Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën”, shkruan Kryeministri.
Sipas tij, një pjesë e qytetarëve synojnë një Shqipëri më të mirë dhe më të drejtë, ndërsa të tjerë, siç u shpreh ai, përfaqësojnë të kundërtën.
“Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk”, vijon ai në reagim.
Rama shton më tej se ata që mbështesin projektin do të marrin atë që kërkojnë, ndërsa kundërshtarët e tij i referohet me një gjuhë simbolike.
“Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakë-zemërakët e kores së zezë të kësaj proteste do të marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat”, u shpreh Kryeministri.
Në të njëjtin postim, Rama shpërndau edhe një video që, sipas tij, lidhet me zhvillimet e protestës, ku shfaqet gazetari Shpend Gashi dhe diskutime të tij publike, përfshirë edhe një podcast ku ai ka intervistuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.


