Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk është penduar aspak për marrëveshjen me Italinë mbi pritjen e emigrantëve. Në konferencën e përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama theksoi se një vendim i tillë do të merrej pa hezitim, nëse do të ishte sërish me Italinë.
“Me Italinë do e bëja 100 herë, edhe pse 100 herë ju do ishit kundër. Me vendet e tjera, kurrë! Sepse ju nuk jeni Italia,” u shpreh Rama me ton të prerë.
Sipas tij, marrëdhënia mes dy vendeve është e veçantë dhe e bazuar në besim e miqësi. “Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë i vjen në mendje dhe ne jemi të gatshëm për t’u përgjigjur,” shtoi ai, duke nënvizuar aleancën strategjike me Romën zyrtare.


