Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër investimit prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, duke deklaruar se kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet vetëm me debate të brendshme, por edhe me ndikime nga faktorë të jashtëm.
Në një intervistë për France 24, Rama tha se pas kundërshtimeve mund të qëndrojnë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe rajonalë që, sipas tij, nuk e mirëpresin zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike në Shqipëri.
Kreu i qeverisë përmendi edhe përplasjet e vazhdueshme kibernetike mes Shqipërisë dhe Iran, duke lënë të kuptohet se këto tensione mund të ndikojnë në forma të ndryshme edhe në klimën politike dhe shoqërore në vend.
Rama theksoi se protestat e zhvilluara në kryeqytet nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht opinionin e banorëve të zonës ku pritet të realizohet investimi. Sipas tij, në Vlorë dhe në komunitetet pranë projektit, investimi shihet më pozitivisht për shkak të potencialit që ka për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe punësimin.
Debati për projektin në Zvërnec vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike, me mbështetësit që e konsiderojnë një mundësi të rëndësishme zhvillimi dhe kundërshtarët që shprehin shqetësime për ndikimin mjedisor dhe urbanistik të investimit.


