Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për CNN Turk, ku ka komentuar rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, si edhe zhvillimet në sektorin e turizmit.
Duke u ndalur te Samiti i NATO-s, Rama vlerësoi rezultatet e tij, duke theksuar se takimi konfirmoi vendosmërinë e krahut evropian të aleancës për t’u përballur me sfidat e sigurisë.
“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve,” u shpreh kryeministri.
Rama vlerësoi gjithashtu organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i treguar nga autoritetet turke lanë përshtypje shumë pozitive te të gjithë pjesëmarrësit.
Sa i përket marrëdhënies me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi atë një mik shumë të afërt dhe partner strategjik të Shqipërisë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama.
Sipas tij, presidenti Erdogan është veçanërisht i interesuar për zhvillimet në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat që synojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri konfirmoi gjithashtu se Shqipëria pritet të jetë vendi mikpritës i Samitit të ardhshëm të NATO-s. Ai sqaroi se, megjithëse kjo nuk u përfshi në komunikatën përfundimtare të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë të ditur se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa mbeten për t’u përmbyllur vetëm detajet organizative dhe të planifikimit.
Bashkëpunimi me Turqinë në industrinë e mbrojtjes
Rama vlerësoi bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë që edhe kompani të tjera turke të investojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.
“Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri,” tha ai.
Duke komentuar nismën për Platformën e Paqes në Ballkan, kryeministri theksoi se presidenti Erdogan mbetet shumë i angazhuar për rajonin. Sipas Ramës, organizimi i një samiti të liderëve në kuadër të kësaj platforme do të varet nga vendimmarrja e presidentit turk.
Në intervistë, Rama u ndal edhe te debatet që kanë shoqëruar projektin turistik në zonën e Zvernecit. Ai sqaroi se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe se, ndonëse kritikat për ndikimin në mjedis janë të mirëpritura, vendimet do të bazohen në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.
Në fund të intervistës, i pyetur për atletet e bardha që kanë tërhequr vëmendjen në samitet ndërkombëtare, Rama u përgjigj me humor, duke thënë se ato janë shumë më komode se këpucët klasike, edhe pse në disa raste nevojiten të dyja.


