Kryeministri Edi Rama ndaloi edhe te Qendra e Monitorimit të Trafikut, një projekt që synon revolucionarizimin e mënyrës se si kontrollohet qarkullimi rrugor në Shqipëri. Sipas tij, kjo qendër do të jetë plotësisht funksionale deri në muajin qershor, me trajnimin e plotë të stafit.
Nëpërmjet një sistemi të avancuar kamerash inteligjente, i financuar pjesërisht nga Emiratet e Bashkuara, do të mbulohet i gjithë territori i vendit – që nga qytetet dhe institucionet publike, deri te rrugët kombëtare. Këto kamera do të transmetojnë pamje në kohë reale në qendrën e kontrollit dhe do të identifikojnë automatikisht shkeljet, si p.sh. tejkalimin e shpejtësisë.
“Policët nuk do të jenë më në rrugë. Tani gjoba do të vijë direkt në iPhone, bashkë me portretin e lumtur gjatë shkeljes – si një kujtim me përshëndetje që thotë ‘kalofsh mirë, mos e përsërit!’”, tha Rama me një ton ironik.
Ai shtoi se përveç gjobave automatike, sistemi do të ketë edhe funksione të tjera si identifikimi i automjeteve pa siguracion, ndërsa theksoi se kjo do të sjellë ulje të ndjeshme të aksidenteve rrugore dhe rritje të transparencës në procesin e gjobitjes.