Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi Fierin si “kryeqytetin e socialistëve” gjatë mitingut përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Në një fjalim të mbajtur para mbështetësve në sheshin qendror të qytetit, Rama vlerësoi pjesëmarrjen dhe atmosferën, duke e përshkruar si “det kuq e zi”, dhe theksoi se Fieri ka qenë gjithmonë një bastion i Partisë Socialiste.
Ai kujtoi transformimin e qytetit, veçanërisht rehabilitimin e lumit Gjanica, që dikur konsiderohej një “plagë urbane”, por që sot, sipas tij, është shndërruar në një simbol krenarie për qytetin.
“Siç e kthyem Gjanicën në një vlerë, ashtu kemi kthyer edhe organizimin e shtetit nga një plagë në një arsye për t’u ndier krenarë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se në vitet e qeverisjes socialiste është rikthyer dinjiteti i flamurit kuqezi, i cili, sipas tij, sot përfaqëson Shqipërinë në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.
“Nuk e ulim më kokën kur na pyesin nga jemi. E tregojmë me krenari se jemi shqiptarë. Flamuri ynë nuk është më vetëm në stadiume, por edhe në tryeza të rëndësishme të botës dhe të Europës”, theksoi ai.


