Kryeministri Edi Rama, sot nga Shkodra, deklaroi se turizmi malor do jetë miniera e vërtetë e të ardhurave të Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të pushtetit vendor dhe sipërmarrës të zonës, për prezantimin e Paktës së maleve, Rama tha se, “ky është një ligj i posaçëm për të gjithë ata njerëz që kanë një lidhje me malet për t’iu hapur rrugën që në male të bëjnë ekonomi, të bëjnë sukses edhe të ndihmojnë Shqipërinë”.
“Ju mbetet kryetarëve të bashkive të ulen me ato drejtoritë e planifikimit urban, të nxirrni territoret ku do përcaktoni hartat ku do të hyjë në fuqi paketa dhe në bashkëpunim me ministrin, t’ia përcillni qeverisë, qeveria t’i miratojë si zona zhvillimore me përparësi, ku funksionon ky ligj, pra ky është një ligj i posaçëm për të gjithë ata njerëz që kanë një lidhje me malet për t’iu hapur rrugën që në male të bëjnë ekonomi, të bëjnë sukses edhe të ndihmojnë Shqipërinë se do jetë një gjë e madhe për Shqipërinë”, tha Rama.
Sipas tij, të ardhurat nga turizmi kanë qenë shumë të larta e do vazhdojnë të rriten por janë të ndara disproporcionalisht midis bregut të detit dhe malit.
“Që në momentin kur malet do të zbulohen nga turistët e të gjitha kategorive, se sot janë zbuluar, por janë zbuluar nga ato lloj turistësh që janë me çanta në krah, do zbulohen nga turistët e gjithë kategorive, do jenë miniera e vërtetë e të ardhurave të Shqipërisë, jam i bindur 1000 %, siç ka vende pa det të tjera, që mos t’i përmendim të gjitha me radhë, që kanë turizëm malor dhe kanë të ardhura marramendëse, por duhet t’u japim një ofertë të diversifikuar që dhe ai që vjen për alpinizëm e ka atë kanalin e vet, por dhe ai që vjen të relaksohet në një agroturizëm me gjithë ato komoditetet mes maleve e ka dhe ai mundësinë e vetë, por edhe resortet e skive që shpresoj, vendi më i bukur dhe më i sigurtë për të pasur resort të suksesshëm skish është Kukësi, por aty thjesht duhet te presim. Ne Korçë na ka ardhur një ofertë shumë e mirë, me atë po merremi, por në Kukës akoma nuk kemi propozim të qenësishëm dhe aty në Kukës mund ta bëjmë vetëm ata që janë vendas, bashkë me partnerë të huaj kuptohet po duhet patjetër të jenë dhe vendasit aty”, deklaroi Rama.
Kryeministri shprehu angazhimin për më shumë investime në liqenin e Shkodrës.
“Po kemi filluar pra ta përdorim liqenin, se ishte i papërdorur, kemi filluar. Edhe molin e ri e pashë sot që është bërë, edhe këtë molin këtu. Do ta zgjidhim, por ka dhe një gjë tjetër që unë besoj duke pasur parasysh se çfarë kanë ata që bëjnë sukses në turizëm në dimër, ka dhe një element tjetër që duhet me e pas parasysh që ka shumë potencial që është turizmi i fizioterapisë, i shëndetit, i masazheve, për shembull yt bir me siguri ka plot njohje me fizioterapistë edhe për rikuperim të sportistëve të dëmtuar edhe për njerëz që vijnë për t’u rikuperuar, domethënë ajo është një zonë e industrisë që po merr gjithmonë e më shumë hov, madje pashë disa materiale nga një konferencë e madhe që ishte bërë, e hotelerisë dhe ka filluar hotelet me 5 yje të fusin komponentin e analizave mjekësore, e këtyre formulave të pastrimit të gjakut etj, kështu që duhet parë kjo, në dimër një komponent shëndeti e bën shumë atraktive një zonë si kjo ose çdo lloj zone malore”, u shpreh Rama


