Kryeministri Edi Rama njoftoi se të martën, më 16 shtator, Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një hap që ai e konsideron si rekord për shpejtësinë e procesit negociator.
“Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të hapim edhe 4 kapituj të rinj, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj,” shkroi Rama.
Ai theksoi se kapitujt e rinj mbulojnë fusha kyçe si Agjenda e Gjelbër, Ndërlidhja e Qëndrueshme, Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi. Sipas Ramës, ky hap përfaqëson një “gur kilometrik” tjetër në rrugën drejt synimit të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2030.


